MATI LOGORECI - nga Musa Kraja




MATI LOGORECI
nga
MUSA KRAJA


Hyrje

Mati Logoreci njihet si shkodran, por njihet edhe si kosovar. E vërteta qëndron në faktin se ai punoi gjatë për Kosovën, duke mbetur në Historinë e Arsimit si veprimtar i shquar i Kosovës. Por puna e tij e çmuar më pas e bëri të njohur e të nderuar edhe në vendlindje, në Shkodër, në kryeqytetin e vendit Tiranë, e në mbarë hapësirën shqiptare. Nuk mund të bëhet fjalë për zhvillimin historik të arsimit e të shkollës në Veri e Kosovë, pa u ndalur në mënyrë të veçantë te Mati Logoreci, një nga zbatuesit më të parë të synimeve arsimore të Rilindjes sonë Kombëtare për një shkollë kombëtare, laike, si Mësonjëtorja e Korçës e 7 marsit 1887. Mbi këtë model, Matia themeloi shkollën shqipe të Prizrenit, hartoi tekste mësimore për shkollën fillore e më vonë edhe për të mesmet, manuale në ndihmë të mësuesve, ku shkriu natyrshëm edhe rezultatet e studimeve të tij në fushat e gjuhës shqipe.
Ai ka një veprimtari të gjerë si drejtues arsimi në Shkodër e në shkallë vendi, si punonjës i Ministrisë së Arsimit, si dhe në publicistikën shqiptare si drejtues i organeve "Dashamiri" e "Drita"

Njëzet vjet më parë përfundova monografinë për Mati Logorecin.
Burimet kryesore i nxora nga Arkivi Qendror i Shtetit, ku ndodheshin shumë materiale direkte, por edhe indirekte, përmes dosjeve mbi Ndre Mjedën, Gjergj Fishtën, Gjeçovin, Komisinë letrare, Drejtorinë arsimore etj., etj. Gjithashtu bëra edhe kërkime arkivore e bibliotekare të mëtejshme në Institutin e Gjuhësisë, në Bibliotekën Kombëtare, në familje, prandaj në mbyllje të kësaj pune, u shpreh mirënjohjen time të thellë drejtuesve dhe punonjësve të atëhershëm të këtyre institucioneve të rëndësishme.
Ma lehtësonte punën fakti që Logoreci, si mjeshtër i të shkruarit kishte botuar dhjetra e dhjetra artikuj, shumë libra, kishte nxjerrë organe shtypi, gazeta, kishte marrë pjesë në diskutime e debate, madje, duke u shquar si polemist për probleme shkencore të gjuhës, të cilën e njihte aq mirë në planin teorik dhe aplikues.
Shumë ide për gjuhën letrare, drejtshkrimin, drejtshqiptimin, i kanë qëndruar kohës edhe pas reformave gjuhësore dhe evoliumit të saj të ndryshëm.
Punimi mbi Matinë qëndroi gjatë në Shtëpinë Botuese "8 Nëntori" në Tiranë, afër 7 vjet. Pengesat mbi botimin nuk ekspozoheshin, por edhe vërejtje teknike nuk bëheshin. Recensentët ishin personalitete të larta shkencore, pedagogjike, sociale, por as ky fakt nuk pinte ujë. Një personalitet i letrave shqipe, më tha, ashtu në konfidencë, të kisha kujdes, sepse Matia kishte të birin folës në Radio-Londra. I sqarova se nuk ishte i biri, por i nipi, se nuk po shkruaja për të, duke i sjellë si shembull Frashërlijtë dhe Bajram Currin, nipat e të cilëve qenë dënuar politikisht.
Duke përfituar nga detyra ime shtetërore e atëherëshme e përgjegjësit të arsimit në kryeqytet, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të atëhershëm për kryeqytetin, Jashar Mazenxhiu më bëri dy miratime:
Së pari, pasi dëgjoi argumentat dhe faktin që Matia kishte punuar mbi njëzet vjet në Tiranë, miratoi dhe mbështeti në Komitetin Ekzekutiv propozimin që do të dërgohej në Presidiumin e Kuvendit Popullor për dekorimin e Mati Logorecit me titullin e lartë "Mësues i Popullit". Propozimet bëheshin në kuadër të 100 vjetori të Mësonjëtores shqipe të Korçës. Një rreth tjetër kishte propozuar dekorimin e Matisë me Urdhërin "Naim Frashëri" të Klasit III. U miratua propozimi i Tiranës, duke e dekoruar dhe shpallur publikisht këtë titull me 7 mars 1987, në kohën kur u dekoruan me titullin "Mësues i Popullit" edhe Naim Frashëri, Sami Frashëri e disa personalitete të tjerë të shkollës shqipe.
Së dyti, më miratoi platformën e plotë të Muzeut të Arsimit të Tiranës, ku kishte vendin e tij Matia dhe Hafiz Ibrahim Dalliu, personalitet i shkollës dhe i publicistikës shqiptare, figurë shumë e nderuar dhe e dashur në Tiranë, i cili kishte vuajtur dy vjet burg. (Më pas, me ngritjen e Muzeut të Arsimit, një sharlatan i kishte dërguar letër Komitetit të Partisë shumë "i shqetësuar" pse kishin vendosur në muze fotografinë e Dalliut. Ky letërshkrues tani tund kartën e "të persekutuarit").
Ne synonim që gradualisht të shkonim te propozimi për "Mësues i Popullit" edhe për Hafiz Ibrahim Dalliun, mendim të cilin e shfaqëm që në atë kohë.
Po atë vit u botua edhe monografia "Mati Logoreci" por jo me titullin që ishte paraqitur: "Mati Logoreci për kombin shqiptar" duke e thjeshtësuar diçka punimin. Megjithatë libri doli dhe u shpërndanë 2.500 ekzemplarët, pa mbetur asnjë kopje në libraritë e vendit. Shtypi i kohës e priti shumë mirë, duke u bërë njoftime në rubrikat e botimeve të reja dhe, gazeta "Drita", atëherë me shumë autoritet, botoi një artikull të gjatë me fotografi të Matisë shkruar nga Xhezair Abazi, dhe shkrime nga personalitete të fushës. Edhe Dritëro Agolli, kryetari i Lidhjes, e vlerësoi si libër të mirë, mendim të cilin ma shfaqi edhe mua personalisht, si autor i punimit.
Ribotimi që i bëhet kësaj vepre, falë interesimit të nipit të Matisë, z.Pjerin Logoreci, më krijoi mundësinë të bëj ndonjë rishikim dhe sidomos plotësimin e disa çështjeve, pa e lëvizur kolonën vertebrale të librit, vendosjen e disa pjesë të reja, që atëherë ishin të pamundura, të tilla si marrëdhëniet e Logorecit me Gjergj Fishtën, etj.
Matia është një thesar i traditës shqiptare në shumë fusha, sidomos të arsimit e të shkollës, si didakt, tekstolog, organizator, polemizues për të evidentuar vlera shkencore, edukative, shoqërore. Themelorja: Matia dhe gjuhësia, mbeten përherë aktuale, sidomos idetë e tij për pasurimin e shqipes dhe në pastrimin e saj nga fjalët e huaja e të panevojshme (sa i rreptë do të ishte tani në shtyp në luftën kundër përfshirjes së fjalëve të huaja pa kufi ndaj atyre që nuk njohin gjuhën e tyre amtare).
Janë shumë aktuale disa ide të tijat për gjuhën letrare shqipe, për drejtshqiptimin e drejtshkrimin e saj.
Problemet didaktike që nxirren nga vepra e Mati Logorecit, kanë vlerë të padiskutueshme në historinë e mendimit didaktik shqiptar, mjaft prej të cilëve, sidomos vlerat edukative janë aktuale, duke u shtuar këtyre vlerave edhe disa tipare të personalitetit të mësuesit bashkëkohor, të mësuarit tradicional, në kuadër të metodave të mësuarit. Matia mbetet edhe një metodist me vlerë edhe për të sotmen e shkollës sonë.
Në problemet shoqërore, të trajtuara në ligjëratat publike dhe në shtyp, si dhe në mjaft biseda, ai ndeshi e u përball me sulme e presione fanatikësh, si dhe në afirmim të unitetit Veri-Jug, në dobi të çështjes kombëtare, ku vuri tërë veprimtarinë e tij komplekse në fushën shoqërore dhe profesionale.
Duke i shprehur mirënjohje botuesit Logoreci, shpreh bindjen se "Atdhetari i Kosovës" (siç e ka quajtur Matinë, Luigj Gurakuqi, në poezinë kushtuar atij) do të shkojë tashmë lirshëm përmes këtyre faqeve në të gjitha trevat shqiptare, për të cilat punoi gjatë gjithë jetës së tij, duke u ndalur anë e kënd hapësirave shqiptare, përfshirë edhe shkollën "Mati Logoreci" që kohët e fundit mori emrin e tij, në qytetin e dashur të Prizrenit në Kosovë.

Musa Kraja

Tiranë, Janar, 2001


Luigj Gurakuqi, Kel Marubi dhe Mati Logoreci

"Koha e mësuesve" në plan të parë

...

Rilindja shqiptare, me të përbashkëtat, por edhe me veçoritë e veta nga Rilindja Evropiane, si një rrymë fillimisht e "abetareve" do të fuqizohet dalëngadalë, në ditët e ngjeshura me veprimtari të shekullit XIX, derisa të bëhet rrymë e fuqishme mbarëshqiptare, politike, ideopolitike, gjuhësore e letrare, arsimore, shkencore, fetare, sociale, me një theks tepër të veçantë atdhetar, me shqetësimin e përpjekjet e mëdha konkrete për ringjalljen e afirmimin e kombit shqiptar. Ajo, prapë nëpërmjet duarve të mësuesve, kalon nga caku i abetareve, që hyn pa i marrë miratimin askujt, në shoqëri vëllezërish shqiptare, në drejtim organesh letrare e politike, në hartime platformash shtetërore, arsimore, në organizime të fuqishme politike e ushtarake për autonominë e përparimin e Shqipërisë. Ajo drejton, pasi ka nxitur e fuqizuar masat, Lidhjen e fuqishme të Shqiptarëve në Prizren, përgatit edhe strukturat e mbrojtjes e të përparimit. I bën këto, duke qenë njëkohësisht edhe rrymë e fuqishme iluministe, përparimtare, revolucionare. Rilindja me dallgëzimet veta, në përshtatje të situatave të reja të krijuara, nuk mund të bënte përpara pa një gjuhë e letërsi shqiptare, pa abetaret e Veqilharxhit, pa librat e Naimit; nuk punonin shkollat shqipe as ajo më e para Laikja e Kombëtarja e Korçës, pa platformën e Samiut dhe shkrimet e tij, nuk kishte përparim arsimi ynë. Tanimë nuk ishte fjala për kurse të luftës kundër analfabetizmit, që ishin dikur, por për një shkollë të re shqipe, një shkollë kombëtare, e cila të vihej edhe ajo në funksion të çlirimit kombëtar, të përparimit kulturor të vendit. Platformën e parë të shkollës kombëtare e hartuan rilindësit tanë, të dhënat e para të së cilës i dha Naum Veqilharxhi, me shkrimet e vitit 1840. Ato erdhën e u plotësuan nga Kristoforidhi e Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Jani Vreto, Pandeli Sotiri e deri tek platforma tashmë e njohur e Sami dhe Naim Frashërit, duke u nisur nga teza se pa emancipim kulturor, nuk mund të ketë emancipim politiko-shoqëror.... Atëherë lufta për shkollën kombëtare mori që në fillim karakter të mprehtë politik. Lufta e mësuesve dhe masave për shkollën, letërsinë e alfabetin ishin degë të lëvizjes kulturore rilindëse, u bënë kolona kryesore të luftës për krijimin e shtetit shqiptar. Megjithë presionet e shumta të armiqve të kombit, mësuesit nuk u tërhoqën, ata u bashkuan në shoqëri, duke tërhequr pas vetes atdhetarë të tjerë, arsimdashës, që të krijonin një alfabet miks të shqipes, të zhvillonin letërsinë shkollore dhe më gjerë artistike, të kthenin shkollat e shumta të huaja në shkolla shqipe. I prinë kësaj veprimtarie Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Stefan Konomi, Daut Boriçi, duke u ndihmuar edhe nga punonjësit e letërsisë artistike: Thimi Mitko, Zef Jubani, Pjetër Zarishti, Preng Doçi, Ndue Bytyçi etj. Për të mësuar brezin e ri u vunë në punë, bashkë me klerikët edhe murgeshat. Ndërkohë bëhen emërime duke tërhequr në arsim punonjës të shkolluar.

Rilindësit tanë i përballuan me dinjitet problemet e shumta teorike e praktike që u dolën përpara, duke u hapur horizonte mbarësie arsimit dhe shkollës sonë të asaj kohe.Pandeli Sotiri, Naim e Sami Frashëri, Kristoforidhi, Jani Vreto e të tjerë deri tek Aleksandër Xhuvani që jetoi e punoi në periudhën e Rilindjes e të Pavarësisë, u frymëzuan nga mendimi pedagogjik evropian, tek i cili njohën mendimin shoqëror, të rejat e shkencave shoqërore dhe natyrore.Në kushtet e Shqipërisë së robëruar, mësuesit dhe atdhetarët nuk mund të zgjidhnin çështjen e shkollës kombëtare shqipe jashtë kërkesave e luftës politike, për të fituar autonominë ashtu siç e kërkonte e synonte Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Prandaj edhe u morën disa masa si: caktimi i alfabetit unik të shqipes, botimi i Alfabetares së Stambollit dhe themelimi më 12 tetor 1879 i Shoqërisë së Shkronjëzave Shqipe, e cila merrte përsipër të organizonte në Shqipëri sistemin arsimor kombëtar, të botonte tekstet shkollore dhe të siguronte botime të tjera. Por, realizimet u bënë të pjesëshme sepse u penguan. Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mori hov veprimtaria shoviniste dhe u zgjerua arsimi në gjuhë të huaj. Në Korçë, p.sh. kishte 3 shkolla turke, 4 shkolla greke dhe asnjë shkollë shqipe, ndonëse popullsia ishte krejtësisht shqiptare. Edhe në qendër të Shoqërisë, ku punohej në kushte më të vështira, deri në gjendje ilegaliteti, Sami Frashëri si kryetar i Shoqërisë qëndronte përkrah Naim Frashërit, Jani Vretos e Pandeli Sotirit. Në Rumani funksiononte, veç Shoqërisë së Shkronjëzave edhe Shoqëria "Drita" e cila ishte formuar në Bukuresht më 1881, si degë e Stambollit, por dalëngadalë po punonte si e pavarur. Në atë degë mjaft mësues gjetën fushë veprimi edhe si mësimdhënës edhe si përgatitës të disa teksteve shkollore duke realizuan edhe shtypjen e tyre. Pra, mësuesit u gjendën përpara detyrave të mëdha intelektuale, atdhetare, të cilat i përballuan me dinjitet, duke përbërë fallangën kryesore të përgatitjes ideologjike, politike, arsimore, atdhetare të popullit tonë. Në këtë bazë historike, të rolit të veçantë të mësuesve u rrit dhe u aktivizua në mënyrë shembullore, mësuesi i shquar atdhetar, Mati Logoreci, fotografia e të cilit është vendosur me dinjitet në tërë botimet e asaj kohe dhe të sotme, përkrah personaliteteve më shquara të kombit tonë.

. . .

Veprimtaria arsimore në Shkodër

Shkodra me rrethinë kishte pasur shkolla që herët, madje që në mesjetën e hershme dhe të vonë, por të karakterit fetar, me alfabete të huaja të drejtuara nga klerikë. Klerikët e të gjitha feve luanin rolin e tyre fetar dhe disa prej tyre edhe arsimor. Kjo veprimtari e dobishme ishte pjesë e kulturës kombëtare. Burime të ndryshme flasin për shkolla të hershme në Shkodër. Por, ne po ndalemi në periudhën që lidhet me Logorecin, kohën e formimit të tij dhe veprimtarisë arsimore. "…Konsullata austriake në Shkodër njoftoi ministrinë e saj se që nga viti 1855 ka pasur një shkollë fillore në Shkodër. Ajo qe drejtuar më parë nga mësuaes laikë, por pastaj u ndie nevoja për mësues nga misionarët françeskanë… Ky institucion ndihmohet nga dashamirësia e qeverisë sonë auguste me 1260 fiorinë austriakë". 1)

Matia me të shoqen Paulina dhe fëmijet Kole, Gjon, Marta dhe shaqe në vitin 1910.

"Me kohë u hapën edhe shkolla të tjera të drejtuara nga kleri katolik, veçanërish nga françeskanët, sepse atyre u qe besuar arsimi në fshat. Këto shkolla u hapën në krahinën e Shkodrës." 2) Që në vitin 1888 Italia hapi dy shkolla fillore laike në Shkodër, një për djemtë dhe një për vajzat, me italishten si gjuhë të mësimdhënies. 1) Deri në vitin 1900 në Shkodër ishte shkolla "ruzhdie" kryesisht për nxënës myslymanë, me kryemësues, mësues matematike, historie, gjeografie; kishte shkolla medrese, gjimnaz të jezuitëve, shkollë plotore françeskane fillore me djem e vajza. Kishte shkolla më të hershme, por edhe të tjera që bënë emër në Periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Të tilla ishin: ajo e lagjes "Fushë-Qelë", themeluar më 1884, në lagjen "Kiras" më 1896. Në fushë të Shtojit (fshati Hamidije) kishte shkollë që prej vitit 1894; në Anë të Malit, që nga viti 1888; në fshatin Leskofce (afër Ulqinit) themeluar më 1884; në Vorfë më 1889; në Ostros (Krajë) më 1896; në Arbnesh të Krajës që më 1885; në Skije (Krajë) shkolla u hap që më 1892; në Melgush më 1899 etj. Në vitin 1894-1895 në Shkodër e në krahinat përreth kishte 75 shkolla me sistem të vjetër dhe 26 shkolla me sistem të ri, gjithsej 101 shkolla në gjuhën turke e arabe, pa folur pastaj për ato të hapura në gjuhë të tjera të huaja. Shkolla fillore kryhej në tre vjet me nga 24 orë në javë për çdo klase. Interesant është se në programin e lëndës së historisë së klasës së trete zhvillohej edhe periudha e Skënderbeut, shërbimet e Mehmet dhe Ahmet Pashës (kryeministra shqiptarë", ajo e Balltaxhi Mehmet Pashës (komandant shqiptar). 2)

Në këtë kaos të arsimit tonë Logoreci përpiqet të ndikojë për një shkollë shqipe, duke shmangur shkollën e huaj. "Asht për shkollën fillore që do të ndiqet nga fëmijët e masës së popullit... Mësimet në këto shkolla duhet të bëhen në gjuhën amtare dhe jo në gjuhën e huaj, të cilën fëmija nuk e merr vesh aspak dhe nuk përfiton gja" 3)

Matia me klasat e vajzave, vitet 1920-1930 në Tiranë.

Drejtues i arsimit, didakt i shquar

Veprimtaria e Logorecit si mësues është shoqëruar pothuajse gjithnjë edhe me punën e tij si drejtues i shkollës, i arsimit. Në vazhdën e mësuesve atdhetarë, ai zinte vendin e vet të nderuar.

. . .

Me gjithë rrethanat e vështira dhe me gjendjen e rëndë që u krijua nga lufta imperialiste, vetëm në Shkodër, në vitin shkollor 1916-1917, qenë hapur 20 shkolla shqipe në fshatra dhe 4 në qytet, të cilat iu shtuan numrit të shkollave të mëparshme. 2) Duke qenë Luigj Gurakuqi drejtor i përgjithshëm i arsimit dhe Mati Logoreci drejtor i arsimit për Shkodrën, ata ndikuan në mënyrë shumë të dukshme në zgjerimin e arsimit në të gjithë vendin dhe në Shkodër. Por, bashkë me zgjerimin e arsimit, gjithnjë e më i mprehtë dilte edhe problemi i kuadrit, i përgatitjes dhe i kualifikimit të tij të vazhdueshëm. Luigj Gurakuqi nxori urdhrin për krijimin e rendeve (klasave) të Shkollës Normale të Elbasanit, që u rihap dhe për krijimin e një shkolle tjetër normale në Shkodër. Në çdo klasë do të zhvillohej kulturë e përgjithshme dhe psikologji, logjikë, metodikë etj. Nxënësit që hynin në Normale do të vinin nga shkolla qytetëse, por, mbasi në Shkodër numri i nxënësve nga shkolla qytetëse ishte i paktë, u hap një klasë përgatitore, e cila do të ishte e njëvlefshme me qytetësen. U hap edhe një kurs përgatitor me 40 veta. Një komision i posaçëm merrte në provim pjesëtarët e kurseve. Ata që fitonin merrnin vërtetimin "I aftë për mësues përkohësisht". Ata më të rinjtë që kaluan provimin u caktuan nxënës në Normale. Më 1 tetor 1917 u hap Normalja e Shkodrës, me një klasë të parë. Për të përballuar nevojat për kuadër të Shkollës Normale u aktivizuan edhe mësues të jashtëm. Kjo Shkollë Normale vazhdoi në vitet 1918-1919 dhe 1919-1920, por më vonë u kthye në shkollë qytetëse derisa me krijimin e Gjimnazit të Shkodrës, më 1922, u aneksua si degë normale e kësaj shkolle të mesme.

...

Matia me të birin Kole, dhe nusja Marie Logoreci (Artiste e popullit)

"Ndollina historijet t’motshme"

Dekompozimi i Perandorisë Osmane tashmë ishte i qartë. Kjo kishte ngritur në një shkallë më të lartë synimet dhe veprimet konkrete të shovinistëve fqinjë që "presin me gojë hapët të marrin nga një copë - pjesë, po jo nga Turqia, po nga Shqipëria. Kështu të gjithë po punojnë dhe kanë lëshuar propagandë të farmakosur nëpër Shqipëri..." 1) Synimet grabitqare ishin të hapta. Mali i Zi kërkonte Gucinë e Plavën dhe një rrip drejt jugperëndimit deri në Shëngjin, bashkë me Shkodrën e Lezhën. Këtu përfshihej edhe Podgorica, Tivari e Ulqini. Serbët, nga ana tjetër, kërkonin Gjakovën, Prishtinën, fushën e Tetovës etj. "I duam këto vise thonë, se kemi njerëz që flasin serpçe. Po ne s’kemi njerëz në këto vise që flasin shqip? Në kanë këta nji, ne kemi 99%. A po pakë shqiptarë janë brënda në Serbi, fshatra, qytete thjeshtë shqiptarë që flasin shqip, pra sikundër këta paskan të drejtë mbi vise të Shqipërisë pse janë fshatra që flasin serpçe, ashtu edhe ca më tepër kemi të drejtë edhe ne mbi Nishnë, Vranjë e Leskovcën etj., të cilat pati nder e pamënçmja Kongres e Berlinit t’i marrë, jo nga Turqia si e pandehnë, po nga Shqipëria e ja dha Serbisë. Dhe për sërbit jemi ndë shiguri se Shqipëria ka pasur dhe do të ketë fuqi që të tregonjë të drejtat e saj, kur të vinjë dita" 1)

Duke vazhduar më tej me synimet grabitqare ndaj nesh, shmangen edhe synimet bullgare, për ca vise nga Kosturi, nga Ohri, nga Dibra, nga Kërçova. Atje trajtohen edhe synimet e shovinistëve të tjerë, që kishin mundur të futeshin më thellë në zonat tona, prandaj edhe pretendonin copën më të madhe nga Shqipëria. Nga ana tjetër, Serbia fabrikonte për ditë lajme nga Shqipëria Veriore, që e quante Serbi e lashtë, me të cilat e akuzonte popullin shqiptar para diplomacisë së Fuqive të Mëdha, si sulmues, plaçkitës dhe kriminel, në një kohë që në Beograd organizoheshin çetat serbe e ngandonjëherë të veshura edhe me kostume shqiptare, për t’i dërguar në Shqipëri, si "kriminelë shqiptarë" që shkatërrojnë, që djegin e që vrasin. Dukej qartë Perandoria Osmane kishte rënë në shtratin e vdekjes, mundësitë e shpresat që populli shqiptar të fitonte pavarësinë, të cilën po e kërkonte me armë prej shekujsh, ishin të afërta. Por, armiq të rinj, të egër menduan se u kishte ardhur koha ta hidhnin Shqipërinë në kthetrat e tyre. Italia, Austro-Hungaria, Greqia, Serbia, Mali i Zi dhe Bullgaria u lëshuan për të rrëmbyer ç’të mundnin. Këtyre pretendimeve shoviniste për "lashtësi greke", për "lashtësi serbe" etj., iu kundërvunë artikujt shumë luftarakë të shkruar nga penat e patriotëve të shquar si: Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Hilë Mosi, Risto Siliqi etj. Edhe Logoreci shkroi artikuj të tillë, por duheshin më tepër argumente e të dhëna studimore nga lashtësia e të parëve tanë, nga luftërat heroike të tyre, nga përpjekjet shumëshekullore për të mos u asimiluar prej fqinjëve apo prej vendeve të tjera. Prandaj Mati Logoreci shkroi historinë e lashtë, që me shumë përpjekje e arriti dritën e botimit në vitin 1911, duke e botuar nëpërmjet klubit "Gjuha shqype" në Shkodër, me titull "Ndollina historijet t’motshme". Pjesa I dhe Pjesa II, Shkodër, 1911, Shtypshkronja "Nikaj".

...

Në kapitullin e parë të librit trajton këto çështje:

1. Bukurija e t’vjeftunit e histories
2. Pellazgët
3. Besa e ilirëve
4. Fise ilirësh
5. Tjera t’ndolluna ilirsh
6. Epiri
7. Maqedonia
8. Urtia e Filipit
9. T’smadhuemit e Maqedonies
10. T’rit e Lekës
11. Luftërat e Lekës etj.
...

Në vitin 1924, Mati Logoreci ribotoi vëllimin I dhe në vitin 1925 vëllimin II të përmirësuar, me titull "Histori e Përgjithëshme". Pjesa I është më e zgjeruar se botimi i vitit 1911, 301 faqe, nga 112 faqe që kishte. Pjesa e dytë ka 205 faqe, por pa ndryshime të rëndësishme nga botimi i parë, përveç përmirësimeve gjuhësore. Ka një fjalor në fund prej 700 fjalësh. Punimi ka vlera shkencore dhe gjuhësore.


S’ka gjuhë kombëtare pa alfabet shqip të njësuar

. . .

Mati Logoreci, si del përmes disa dokumentesh, kërkon të jetë sa më afër alfabetit të përbashkët gegë-toskë. Më 23 tetor 1907, ai pohon bashkëpunimin me Mjedën, një nga veprimtarët për alfabet të njësuar të gjuhës shqipe. "... e anmikt janë ene t’gjith n’kam kundra ti, derisa kan vojt e kan thanë si me guzue me zgjedh për bashkpuntuer nji njeri, që gja pa shkrue s’ka lan n’gazetë t’vet kundra klerit t’gjith Shqypnis katolike e nji mij tjera t’zeza e kshtu pra po don që nder numra t’par mos t’ken askush se çka me gjet". 2)

Në kohën e qëndrimit në Shkodër ai u aktivizua nga shoqëritë "Bashkimi" dhe "Agimi" e cila e dërgoi me shërbim që të bisedonte jashtë për njësimin e alfabetit shqip. Për këtë qëllim ai edhe i bashkërendoi veprimet me atdhetarë nga Jugu. Ai shkruan: "Nji punë kam mendue, por nuk di a ka me t’ecë, due me pam abetarin tonë me e përkrah me ate të toskvet, por kishte me kenë nevoja me shkue në Sofje e me ju lutë Kristo Luarasit me t’çue shkronjat që na s’kemi. 3) Në kryeartikullin e gazetës "Dashamiri" të datës 25.1. 1908 (nr. 2) shkruan: "Toskvet do t’ju falenanderës për shkas të madh që i kanë dhanë përparimit kombtar. Fletoret e librat shqyp, që deri më sot kanë botue toskët kan hi e po hijnë pa pra në Gegni, tue na ba m’u njoftë me shoqi shoqin, tue na diftue se jena vllazën... Abetari i "Dashamirit" mundena me e pamë, nuk ndron aspak me atë të toskvet, për pos formave të disa shkronjave si: s, e, d, z, etj., sikur duket prej pasqyret të abeceve të "Dashamirit".

...

Në këto rrethana lindi kërkesa për mbajtjen e Kongresit, më 14 nëntor 1908, në Manastir. Në të morën pjesë përfaqësues të 23 klubeve, njerëz të shquar të kohës, mësues, gjuhëtarë, gazetarë, politikanë si: Luigj Gurakuqi, Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Bajo Topulli, Mati Logoreci, Nikoll Kaçorri, Zejnel Glina, Gjergj Qiriazi, Fehim Zavalani, Refik Toptani, Dhimitër Male, Nyrhet Vrioni, Rrok Berisha, Thoma Avrami, Akil Korça, Adam Shkaba, Dhimitër Buda, Shefqet Frashëri, Sami Pojani, Leonidha Nasi, Shahin Kolonja, Mihal Grameno, Simon Shuteriqi e të tjerë, rreth 50 veta. Në kohën e çeljes së Kongresit ishin të pranishëm më se 200 atdhetarë të ardhur nga të tëra viset e Shqipërisë. Ishte ftuar edhe Fan S. Noli, Sevasti Qiriazi etj. Kongresin e ndoqi edhe Çerçiz Topulli me atdhetarë të tjerë si dhe nxënësit e shkollës së mesme të Manastirit. Kongresi kishte karakter politik, në radhë të parë, ai ishte një kuvend atdhetarësh për bashkimin e kombit, në të cilin u mbajtën fjalime të zjarrta, u shkëmbyen mendime për luftën në interes të çështjes kombëtare. "Gjatë mbledhjeve të kësaj dite mbajtën fjalime shumë veta, tërë folësit ngritën me të madhe kujdesin që i duhej kushtuar çështjes së bashkimit dhe të përparimit. Ky mëngjes i shkëlqyer u lut edhe me këngë trimërie, që Çerçiz Topulli me Mihal Gramenon kënduan me aq shije, me zërat e të cilëve përziheshin edhe ca zëra grash, të disa shqiptarkave të ardhura për të dëgjuar fjalët e përfaqësuesve". 1) Ishte një mbledhje e përgjithshme kombëtare, në të cilën merrnin pjesë shqiptarë pa dallim feje, krahine, duke u përfaqësuar shumica e madhe e trevave shqiptare dhe kolonitë shqiptare kryesore. Mati Logoreci, shoku e miku i Luigj Gurakuqit, i Ndre Mjedës, i Hilë Mosit 2) e atdhetarë të tjerë të dërguar në Kongres, përfaqësonin inteligjencien e Shkodrës bashkë me delegatët e shoqërive "Bashkimi" dhe "Agimi". Luigj Gurakuqi ishte edhe përfaqësues i arbëreshëve të Italisë. Gjatë kohës së Kongresit, më 14-22 nëntor 1908, Fishta, Gurakuqi dhe Logoreci bashkëpunuan për të realizuar një ndër qëllimet e Kongresit: hartimin e një alfabeti të vetëm për gjuhën shqipe. Parimisht nga delegatët u pëlqye dhe u miratua që si bazë për alfabetin e shqipes të ishte ai latin. Kjo ishte një çështje, e cila praktikisht qe zgjidhur me kohë, mbasi të tre alfabetet që vinin në Kongres (alfabeti i Stambollit, i "Bashkimit" dhe ai i "Agimit") dhe qe kishin më shumë dashamirës, mbështeteshin në të. Problemi më delikat, për të cilin pati edhe më shumë diskutime, ishte zgjedhja e shkronjave.

...

Problemi i drejtshkrimit dhe i njësimit të gjuhës së përbashkët letrare do të merrej në shqyrtim më vonë, pikërisht më 1917, nga "Komisia letrare" në Shkodër, në krye të së cilës qëndroi Mati Logoreci. Kjo veprimtari u zgjerua në vitet e mëvonshme me afirmime të reja, siç qe "Komisia letrare" në Shkodër, apo më pas kongreset arsimore, por njëkohësisht u thellua lufta kundër forcave regresive, reaksionare, që kërkonin me këmbëngulje ta pengonin këtë zhvillim të gjuhës e të kombit. Ndërsa forcat përparimtare luftonin për zbatimin e vendimeve të "Komisisë letrare" të Shkodrës, për ta çuar më tej njësimin e gjuhës letrare e të drejtshkrimit, që u miratua edhe në Kongresin Arsimor të Lushnjës (1920), forca të tjera, me pikëpamje të paqarta ose edhe me pikëpamje antikombëtare e antidemokratike, nxorën krye. Ato u ngritën kundër vendimeve të "Komisisë letrare" e atyre të kongreseve arsimore, kundër një gjuhe letrare të vetme për gjithë kombin shqiptar, duke e kërkuar zgjidhjen e këtij problemi me anë të gjuhës së teksteve fetare të shekullit XVI-XVII, të cilat ishin shkruar mbi baza dialektore e nëndialektore të kulluara. Këtyre qëllimeve iu kundërvunë mjaft atdhetarë, arsimtarë e të tjerë, në ballë të të cilëve qëndronin Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Mati Logoreci, Sotir Peci etj., të cilët e konkretizuan dhe e çuan më tej në drejtshkrim vijën e Rilindjes, që shkrimi i shqipes t’i shërbente ngulitjes së qartë të strukturës së fjalës dhe, mbi këtë bazë, të ruhej sa më shumë e përbashkëta, ajo që i afronte dialektet e variantet letrare dhe jo ajo që i dallonte dhe i largonte.

...

Logoreci për Shkodrën

Shkodra njihet si qytet me përpjekje rezultative në shumë fusha social-kulturore. Por, përpjekjet nuk shkonin vaj, pasi pengesat ishin të shumëllojta, të dukshme e të pa dukshme. Përkohësisht njihen mosrealizime, për të mos i quajtur dështime. "The Albanian National Awakening" (Zgjimi Kombëta Shqiptar) 1878-1912, thuhet se "Në Shkodër, përpjekja për të hapur një klub që të mund të funksiononte, përfundoi me dështim të plotë" 1)

Viti 1908, vit i ngjarjeve të vrullshme si për tërë Shqipërinë edhe për Shkodrën, si një nga qendrat me rëndësi të vendit, solli zgjerimin e kryengritjeve kundër zgjedhës osmane, shpërbërjen e mëtejshme të perandorisë, shtimin e lëvizjeve të brendshme e të jashtme kundër saj. Gjendja në Shkodër në këtë kohë jo vetëm nuk ishte e qetë, por ishte ashpërsuar edhe më shumë nga ndërhyrjet e regjimeve grabitqare të fqinjëve, të Serbisë e të Malit të Zi, të veprimtarisë së reaksionit antikombëtar. Në ballë të luftës kundër tyre vihen, atdhetarët shqiptarë, me pushkë dhe me penë, me veprimtari të gjerë politike arsimore-kulturore, në mes të të cilëve shquhej edhe Mati Logoreci. "Në shtator 1908, një mësues i shkollës françeskane, Mati Logoreci, mundi të çelte një klub shqiptar, "Gjuha Shqype". Por, anëtarët e klubit qenë pak. Duket që katolikët, ndër të cilët një grup nacionalistësh të dalluar, nga friga e myslimanëve, nguronin të hynin në klub. Myslimanët, nga ana tjetër, për shkak të fanatizmit të tyre, nuk kishin qejf të toleronin një klub që propagandonte gjuhën shqipe…1) Duke qenë në krye të klubit "Gjuha shqipe", 2) si një organizëm gjuhësor në dukje, në fakt organizëm politik, me kahe të rëndësishme kombëtare, Logoreci shkroi edhe mjaft artikuj, ku jo vetëm shtroi hapur rreziqet që i kanoseshin vendit, por me atë kënd të pari e horizonti që kishte, mjaft të përparuar për kohën, dha edhe rrugëzgjidhjen.Një artikull me interes u gjend në dorëshkrim në Arkivin Qendror të Shtetit, shkruar në vitin 1908 nga Logoreci. Artikulli i hartuar në mënyrë të zgjedhur, konkretisht, drejtpërdrejt, me një stil të qartë për të gjithë, i bën analizë gjendjes së vendit dhe ngre problemet më të mprehta për Shkodrën, që, ishte në një gjendje shumë të rëndë: ujqërit ishin mprehur ta shqyenin. Tri probleme thelbësore e shqetësonin Logorecin, në këtë kohë, të cilat i thotë hapur në artikullin "Shkodra".

...

Veprimtar i shquar për çështjen kombëtare

Gjithë veprimtaria politike, gjuhësore, publicistike e arsimore e Logorecit është zhvilluar për të mirën e çështjes kombëtare. Çështja e arsimit, së cilës iu kushtua aq shumë Logoreci, kishte karakter të theksuar kombëtar. Kjo duket edhe në faktin se abetaret ruheshin si një gjë e veçantë, e çmuar, e shenjtë, me të cilën mund të ndihmohej atdheu.

...

Veprimtaria e Logorecit për çështjen kombëtare paraqitet në disa aspekte. Ai mbante lidhje me shoqëritë patriotike jashtë atdheut, si me "Diturinë" e Bukureshtit, me "Dëshirën" e Sofjes, me "Vëllazërinë shqiptare" të Egjiptit etj., nga të cilat vinin edhe botime në shqip.

...

Mati Logoreci iu kundërvu disa historianëve shovinistë lidhur me trillimet e tyre për prejardhjen e shqiptarëve, duke bërë shpjegime për autoktoninë e shqiptarëve, duke u ndalur në lashtësinë tonë, në prejardhjen e ilirëve e të fjalës shqipe shqiptar, në krijimin e kombit tonë, kur pavarësia nuk ishte fituar dhe kërkonte flijime të tjera, argumente të një vëzhguesi e të një studiuesi autodidakt, që luftonte për të vënë në dukje e për të publikuar të vërtetën historike për gjuhën dhe për historinë e kombit tonë. Për këtë ai pohonte me bindje se "asht sprovue hollësisht se na jena stërnipat e Illyrvet e gjuha jonë gjuha e tyne." 1)

...

Shkolla e rihapur nga Logoreci ishte vazhdim i shkollës së çelur në fund të shekullit të kaluar. Në dhjetor të vitit 1913 ai e hapi shkollën, duke siguruar funksionimin normal të saj. Emri i saj u bë i njohur: populli e quante, "shkolla e Logorecit", emër që u përhap me dashuri në një masë të gjerë patriotësh. "Jam tui ba mësime gjuhet këtu në Tiranë e jam, tui gjetun shumë sende t’bukura qi meritojnë m’u njoftë e shpresoj, se kam me i botue n’Përparim. K’tu kam nisë shkollën, por jo një shkollë sikur e patshë mendue e shestue, due me thanë nji shkollë fillestare, por kam fillue nji shkollë giuhet e ku nxanësit janë burra me mustakë e m’kanë kuptue sa m’ashtë dashtë me i përzanë pse s’kishte ma as vend. Janë të gjithë djelmoça e ma e shumta dibranë që lakmojnë me msue shqyp..." 1), shkruante në një letër, Logoreci, më 13 shkurt 1914.

Veprimtaria, arsimore e tij bie ndesh me synimet e agjentëve të fuqive të huaja, të cilët i krijojnë Mati Logorecit vështirësi e pengesa për ta bërë të tërhiqet nga veprimtaria e tij politiko-arsimore. Kështu më 1914 ai burgoset për disa muaj nga esadistët bashkë me disa patriotë, të tjerë, midis të cilëve edhe pesë arsimtarë kosovarë. 2) Më vonë, pas vitit 1920-192l e deri në vitet afër pensionit, Logoreci është mësues e drejtues shkolle përsëri në Tiranë. Për kulturën e tij të gjerë, sidomos në fushën gjuhësore dhe historike, duke pasur parasysh kohën që punoi e jetoi, ai ishte një personalitet i afirmuar i shkollës dhe i gjuhës shqipe, që me guxim do ta thotë fjalën e tij në favor të çështjes kombëtare, duke u ngritur në kuvende, në takime shoqërore e zyrtare, përmes artikujsh e studimesh.

...

Për pasurimin, pastrimin dhe njësimin e gjuhës shqipe

Mati Logoreci ka pasur interesa të gjera, por fusha kryesore e veprimtarisë së tij pas fitores së Pavarësisë, ka qenë gjuha shqipe. Synimet, përpjekjet për krijimin e një gjuhe të përbashkët kombëtare, për njësimin e alfabetit për pastrimin nga fjalët e huaja dhe për pasurimin e saj me fjalë të fondit të shqipes, për çështje të morfologjisë, të fonetikës, të drejtshkrimit, janë me rëndësi për kohën. Ai dha ndihmesën, e tij për afrimin e dialekteve me qëllim që të arrihej gjuha letrare shqipe, e kjo të flitej e të shkruhej nga të gjithë shqiptarët. Këtij qëllimi do t’i shërbente edhe hartimi i teksteve, miratimi, korrigjimi dhe botimi i librave shkollorë nëpërmjet "Komisisë Letrare", që u krijua në Shkodër, më 1.9.1916. Objekti i "Komisisë" shtrihej edhe më tej, pasi ajo "do të flasë edhe mbi tema të nxjeruna prej landës së ditunis së gjuhës shqipe, prej historisë së re e të vjetër të Shqipnis, prej prehistorisë së kombit, shqiptar e prej arkeologjisë e dheshkronjës shqipe." 1) Në vitin e dytë të veprimtarisë së saj nisi botimin e një periodiku me titull "Lajmet e Komisisë Letrare Shqipe", në Shkodër, i cili, me sa dihet, mbeti i vetmi numër. Në këtë botim jepen emrat e autorëve të komisisë që marrin pjesë në diskutimin e problemeve të veçanta dhe pothuajse në të gjitha mbledhjet mori pjesë aktive Mati Logoreci. Synimi i këtij organi ishte që të mblidheshin e të botoheshin visaret e letërsisë popullore shqipe si: vjersha e këngë, përralla, gojëdhëna, mësime etj. Rreth tij u grumbulluan shkrimtarë të afirmuar për kohën, gjuhëtarë, mësues, miq e dashamirës të shkollës sonë, të cilët e kishin për zemër zhvillimin e gjuhës shqipe, përparimin e lulëzimin e letërsisë së saj, ata "nuk kanë për të na kursyem ndihmën e tyre të çmueshme e se do të përpiqen që të nderojnë e të stolisin fletët e kësaj të përkohshme me shkrimet e veta të çmueshme..." 1) Duke pasur në gjirin e vet forca të shëndosha atdhetare, demokratike, përparimtare, "Komisia Letrare Shqipe" e zhvilloi veprimtarinë e vet në luftë të papajtueshme me pikëpamjet e ngushta lokaliste dhe njëkohësisht kundër presionit të forcave të huaja pushtuese.

...

Në gazetën "Dashamiri" Logoreci përpiqej të ushqente bashkimin e vëllazërimin e mëtejshëm gjuhësor të Shqipërisë Veriore e Jugore: "Shqypnia mbarë ndahet në dy vllazni të mëdha: gegë e toskë; të parët në Shqypni të sipërme prej Lumit Shkumbin e përpjetë, Toskët në Shqypni të poshtme prej Shkumbinit e Kah jugu...Toskët kanë fillue me punue për zhvillim të kombësisë e të gjuhës (nënvizimi - MK) për me mujt m’u përpjekë krejt me toskët edhe një punë e vogël, edhe një hap i shkurtër na ka mbetë, e ky hap asht abetari, por edhe me këtë jena afrue fort, sikur e provon e dëshmon "Dashamiri" fletorja jonë. Tash gjithë shqyptarve vullnetmirë po ju sillna e po i pyesim. A asht punë për të mirë të Atdheut me i kundërshtue të vetmet shkolla shqype që mundohen për zhvillim të kombësisë e të gjuhës atdhetare?" 1) Veprimtaria e tij në këtë fushë është e gjerë dhe nuk mund të ndahet në mënyrë të prerë nga problemet e tjera të alfabetit, të Komisisë, të "Vllazërisë", të klubit "Gjuha shqype", të drejtuesit të gazetës, të komisioneve qendrore të gjuhës, të pasurimit e të pastrimit të saj nga fjalët e huaja etj. "Fjalët e huaja janë atentat kundër gjuhës e kombit", shprehej Logoreci. Polemika e tij është e zjarrtë, e drejtë, e guximshme, me synime të kthjellëta për të krijuar në baza të drejta fjalë të reja, për t’i mbrojtur ato dhe fondin e shqipes në tërësi me këmbëngulje nga ndikimet e huaja në këtë fushë. Në artikullin "Nevoja e domosdoshme për neologjizma?", botuar në "Vullnet i Arbërisë", Tiranë, më l0 qershor 1930, një autor polemizon, në mes të tjerëve, me Logorecin, duke shtuar se futja e fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, sidomos nga italishtja e frëngjishtja, nuk i sjell ndonjë dëm gjuhës. Në shkrimin firmuar nga "Atdhetari i Kosovës", pseudonim i Mati Logorecit, lidhur me "Mendime permi shkrim të gjuhës kombëtare", botuar në "Albania", Bruksel, 1900, viti IV, nr. 1 f. 36-37, ai prek edhe çeshtje të drejtshkrimit, të cilat koha i vërtetoi se kishte të drejtë. Ai mbrojti pikëpamjen se nuk duhet shkruar m’a, t’a, po ma, ta pa apostrof etj. Logoreci u mor edhe me etimologjinë e fjalës sakt. Shkrimi i Logorecit u bë objekt diskutimi, madje edhe me personalitete të shquara. Logoreci hyn në polemikë edhe me miq të tij. Faik Konica shkroi artikullin "Mennim permi artikullin e ma syperm", me pseudonimin Trrang Spirobeg, duke e botuar në "Albania", Bruksel, 1900, viti IV, nr. 1, faqe 37-38, ku shprehet se nuk është i mendimit që të shkruhet ma, ta pa apostrof sikurse propozoi Logoreci (që më vonë u pa e drejtë). 1) Në një artikull me titull "Të vëna re: - fjalë dhe mendime, botuar në "Dielli", më 22 tetor 1938, duke folur për përdorimin dhe për kuptimin e fjalës ndothta për ndoshta e ndofta për neologjizmin madhësi, lartmadhësi, për prejardhjen e fjalëve vërtetë e shëndet etj. Faik Konica e kritikon po kësaj here jo drejpërdrejt, po tërthor. Në një artikull tjetër 2) botuar po me këtë pseudonim Logoreci trajton shkurtimisht nyjet e shqipes dhe disa nga parashtesat shqipe: "për, haper, ah-, li, t, ter, ma". Duke vazhduar me probleme të ortografisë, në artikullin "Vreime në drejtshkrim" trajtohe E-ja (e shurdhët) në gegërisht duke vërejtur se gegërishtja ë-n, që në atë kohë nuk e kishte, dikur e kishte pasur dhe shtron nevojën e futjes së saj përsëri në gegërishte. Në artikujt e botuar në "Agimi" shkruan për drejtshkrimin e fjalës komb 3), kurse në numrin tjetër 4) ka një artikull me vëzhgime të përgjithshëme dhe shënime për përdorimin e foljeve të parregullta, për praninë e zanoreve të gjata në disa vise të Shqipërisë Jugore, për pastërtinë e gjuhës shqipe, për disa trajta drejtshkrimore, etj. Po aty, redaksia vë një shënim, të sajin duke shpjeguar, se pse nuk pajtohet me disa nga pohimet e autorit. Në disa artikuj, në kohë dhe në organe të ndryshme, Logoreci ka paraqitur aspekte të punës për pastrimin dhe pasurimin e gjuhës shqipe. Në një artikull, botuar në "Kumtari Arsimuer" 1), autori trajtoi ruajtjen dhe pastërtinë e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja. Edhe në shkrimin "Bisedim gjuhe", 2) Logoreci shtroi nevojën e zëvendësimit të fjalëve të huaja me fjalë e neologjizma shqipe. Një muaj më vonë, në të njëjtin organ 3), ai botoi artikullin për nevojën e pastrimit të shqipes nga barbarizmat dhe për përdorimin e drejtë të trajtave shqipe (kritikoi përdorimin e gabuar të dhanores neve për emroren na). Në disa artikuj të tjerë si "Randsia e gjuhës - gjuha mjet marrëveshjeje", "Gjuha art, gjuha art gjuha mjet kulture", "Gjuha emblemë komsije, zhvillimi i gjuhës"4), ai parashtroi probleme të karakterit të përgjithshëm për rëndësinë e gjuhës shqipe. Në artikullin "Nevojë e domosdoshme për neologjizma" 5) autori shtroi çështjen e krijimit të neologjizmave për të zëvendësuar fjalët e huaja. Në shkrimin "Çështje gjuhësore" ai thotë se fjalët banim, banesë, e banorë janë neologjizma të krijuara prej tij nga folja me banue; neologjizëm i tij është fjala bashki krijuar me 1913. Gjithashtu, ai ka këshilluar i pari që fjala konferencë të zëvendësohet me fjalën ligjëratë. Në mjaft shkrime Logoreci ka polemizuar e ka mbajtur qëndrim për probleme të rëndësishme gjuhësore, duke mos u ndalur përpara titujve apo emrave shkencorë të huaj apo shqiptarë. Në artikullin "Gustaf Meyeri i madhi albanolog e gjuha shqipe", botuar në "Illyria", më 25 mars 1934, ai vë në dyshim tezën e G. Majerit se fjala shqip rrjedh nga latinishtja exipere.

...

Bashkë me studimin e Mati Logorecit "Çështje të gjuhësisë dhe të gramatologjisë shqipe", dorëshkrim, u gjet nga mësuesi veteran Halim Shpuza, studiues i jetës dhe i veprës së Logorecit, edhe një letër e dr. Nobert Joklit, e cila me siguri nuk është e para, por një vazhdim i korrespondencës midis të dy miqve. Në këtë letër shihet qartë se albanalogu i shquar ndiqte me vëmendje zhvillimin e gjuhës shqipe dhe letërsinë e saj. Teksti i letrës është ky:

Univ - Prof. Wien, më 10 frun 1929 VII 3 Neustiftgasse 67-69

Dr. Norbert Jokl. Oberbibliothekar O. Univ. Bibl.

Forti i ndershmi Zotni Drejtuer,

Me gëzim kam marrë letrën e Zotnisë Sate, me gëzim edhe po përgjigjem. Emni i Zotnisë s’më ka qenë - mirret vesht - i pa njoftun. Kam këndue në vëll. e 2 "Diturisë" studimin e bukur të Zotnis përmbi të hapunit edhe përmbi formimin e emnit "shqiptar", nji kritikë të shkurtër të këtij studimi e kam botue në "Indogermanisches Jahrbuch" t. XII. Përmetohem se Ju dërgue një të nxjerrun. Edhe bleni i 2 i "Historisë së përgjithshme" më ka ra në dorë, d.m.th. e bleva këtë libër për bibliotekën teme edhe e këndova me nji interes të madh, sidomos për shkak të fjalorit në fund të tomit, që asht shum i vlefshëm për gjuhësinë shqipe. A janë të gjithë fjalët që deri tash sgjinden ndër fjalorët (b.f. të Bashkimit a të Kristoforidhit) prej Kosovës, vendit të lemit të Zotnisë sate?* (S’kam nevojë të them se flas vetëm për fjalë fjesht popullore jo për neologjizmat). Edhe për historin kam shkrue në t. XIII. të "Indogermaniches Jahrbuch" që asht tuj u shtypëshkruemun tashti e ka me dalë, sikur shpresoj në herë. Ç’përket pyetjes së Zotnis, zani ë "e" Tosknishtes asht, sikur besoj unë, i motshëm në gjuhën shqipe", edhe s’detyrohet influencës së vlahishtes. Asht e vërtetë qi sot vetëm Toskënishtja ka këtë za. Po asgja mangut mundet me u dëftye, qi motit edhe Gegënishtja e ka pasun ë-jën. Arsyet janë këto: 1) Janë dialekte geg, qi në vend të zanit "a", sikur e ka b, f;(bie fjala) gjuha e Elbasanit e ajo e Shkodrës kanë tinguj tjerë, bie fjala, dialekti i katundit Arbanasi në Dalmaci (Borgo Erizzo) një dialekt që i përket gegënishtes, shqipton në vend të "baj" (geg) "bëj" "bënj" (tosk), binj, në vend të "ban", "bën" (es ma cht, facit, pri... çimi... bon), këta tinguj s’munden me u shpjegue ndryshej se ashtu që edhe gegënishtja ka pasë motit zanin "ë", prej të cilit u çvilloi, me nji anë a, me tjetër i etj. (Banorët e Kollonisë së Arbanasos kanë ardhun prej Shqipnis Veriore në 1737). 2) Në fjalë të hueja, d.m.th. në fjalë të marrun pej Latinishtes, gegënishtja ka sot zanin a dhe atje, ku Latinishtja ka e, b.f. ranë-arena. Edhe kjo rase s’asht e shpjegueshme për me ja temelue ë-jen. Asht e vërtetë, që edhe Vlahishtja e ka këtë zanore, po asht edhe e njoftun Bulgarishtes. Mbasandej asht një veti ballkanike e përbashkëtë. Si me shpjegue këtë veti ballkanike? Ka dijetarë që shikojnë në këtë veti të vijuemit e temelit të përbashkët të kombevet balkanike (të "substratit", sikur thohet në gjuhësi, të "nënshtresës" sikur përmetohen unë me përkthye shqip këtë fjalë teknike) d.m.th. të Illyrvet, - a - të Thrakëvet. Po mbasi dijmë shum pak përmbi gjuhët të kombevet të motshm të sinisis Balkanike (përveç grekëvet) kjo ashtu nji hypotezë, për të cilën mungojnë provat.

Tue ju përshëndetun fort e fort mbetem i Jueji me nderë.

Dr. Norbert Jokl 1)

Siç del nga letra, N. Jokli ndiqte me vëmendje dhe çmonte veprat, e Mati Logorecit. Artikullin e tij për pasurimin dhe për përhapjen e emrit shqiptar, Jokli e vlerëson si një "studim të bukur" dhe shkruan për të në "Indogermanisches Jahrbuch". Në një botim të një studiuesi në Vjenë, të një manuali të shkurtër gjermanisht, "Gjuha Shqipe e Veriut", falenderohet nga autori Julius Pisko, jezuiti Jak Jungg në Shkodër, si edhe mësuesi Mati Logoreci në Prizren për ndihmën e tyre të çmueshme. Duke e komentuar këtë të dhenë, që sjell Jup Kastrati, shton se "...Për nga ana e fjalorit, shihet qartë që një dorë - me sa duket e Mati Logorecit, e ka spastrue nga huazimet turke, që patën lëshue rranjë bukur mirë" 2)

...

Mati Logoreci në kongreset arsimore

Është vështirë të gjesh veprimtari të rëndësishme kombëtare në fushën e arsimit, të shkollës, të gjuhës shqipe, në të cilën të mos jetë i pranishëm Mati Logoreci. "Më l920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe më l924 në Kongresin Arsimor të Tiranës." 1)

. . .

Drejtues i arsimit, didakt i shquar

Veprimtaria e Logorecit si mësues është shoqëruar pothuajse gjithnjë edhe me punën e tij si drejtues i shkollës, i arsimit. Në vazhdën e mësuesve atdhetarë, ai zinte vendin e vet të nderuar.

...

Me gjithë rrethanat e vështira dhe me gjendjen e rëndë që u krijua nga lufta imperialiste, vetëm në Shkodër, në vitin shkollor 1916-1917, qenë hapur 20 shkolla shqipe në fshatra dhe 4 në qytet, të cilat iu shtuan numrit të shkollave të mëparshme. 2) Duke qenë Luigj Gurakuqi drejtor i përgjithshëm i arsimit dhe Mati Logoreci drejtor i arsimit për Shkodrën, ata ndikuan në mënyrë shumë të dukshme në zgjerimin e arsimit në të gjithë vendin dhe në Shkodër. Por, bashkë me zgjerimin e arsimit, gjithnjë e më i mprehtë dilte edhe problemi i kuadrit, i përgatitjes dhe i kualifikimit të tij të vazhdueshëm. Luigj Gurakuqi nxori urdhrin për krijimin e rendeve (klasave) të Shkollës Normale të Elbasanit, që u rihap dhe për krijimin e një shkolle tjetër normale në Shkodër. Në çdo klasë do të zhvillohej kulturë e përgjithshme dhe psikologji, logjikë, metodikë etj. Nxënësit që hynin në Normale do të vinin nga shkolla qytetëse, por, mbasi në Shkodër numri i nxënësve nga shkolla qytetëse ishte i paktë, u hap një klasë përgatitore, e cila do të ishte e njëvlefshme me qytetësen. U hap edhe një kurs përgatitor me 40 veta. Një komision i posaçëm merrte në provim pjesëtarët e kurseve. Ata që fitonin merrnin vërtetimin "I aftë për mësues përkohësisht". Ata më të rinjtë që kaluan provimin u caktuan nxënës në Normale.

Më 1 tetor 1917 u hap Normalja e Shkodrës, me një klasë të parë. Për të përballuar nevojat për kuadër të Shkollës Normale u aktivizuan edhe mësues të jashtëm. Kjo Shkollë Normale vazhdoi në vitet 1918-1919 dhe 1919-1920, por më vonë u kthye në shkollë qytetëse derisa me krijimin e Gjimnazit të Shkodrës, më 1922, u aneksua si degë normale e kësaj shkolle të mesme.

...

Mati Logoreci si autor i teksteve shkollore

Mati Logoreci njihet si autor veprash studimore në fushën e gjuhësisë, historisë, dhe sidomos i teksteve shkollore. Veprimtaria si autor tekstesh shkollore në prag të Pavarësisë e pas saj është karakteristikë për shumë rilindës e më pas për atdhetarë të tjerë deri në prag të çlirimit të vendit. Në atë periudhë të zymtë ndjekjesh e terrori, kur lufta për shkollën ishte e lidhur ngushtë me luftën për kombin e ekzistencën e tij, vepruan shumë atdhetarë që i dolën zot shkollës shqipe e brezit të ri, duke u siguruar atyre "bukën", tekstet, me anë të të cilave do të mësonin në shkolla legale ose ilegale. I tillë ka qenë Kostandin Kristoforidhi, i cili, pas Naum Veqilharxhit, është hartuesi i parë i abetareve shqipe, De Rada përgatiti për nxënësit arbëreshë një varg materialesh didaktike: leksione, tekste mësimore etj.

...

Ai përgatiti dhe botoi tekste shkollore dhe manuale në ndihmë të mësuesve si "Abetar", "Plotësori i abetarit", "Libër i mësuesit për përdorim të abetarit" (një libër aplikativ, ashtu siç kërkohet edhe sot për mësuesit), "Libër leximi për shkollat e mesme" (1920), "Lexime për moshën e njomë" (1934), "Fjalorth i librit të leximit për moshën e njomë" (1934), "Histori e përgjithshme" (pjesa I, 1924, pjesa II, 1926). "Ndolli historije t’motshme" (1911) etj. Në këto tekste, spikaste qartësia në konceptet që do t’u nguliste nxënësve, të cilët kishin mbaruar një pjesë të klasës së parë fillore, me "Plotësori i abetarit", me copëza e vargje të thjeshta, në përshtatje me aftësitë përvetësuese të fëmijëve, në formë tregimesh të thjeshta apo dialogu etj.

...

Mati Logoreci, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta dhe Luigj Gurakuqi

Matia është shquar për qartësi mendimi, për guximin e treguar në shfaqjen e mendimeve të tija, për debatin e zhvilluar për probleme të mëdha, për forcën e argumentit, logjikën e shëndoshë në debat dhe gatishmërinë për të debatuar me cilin do pavarësisht nga emri, nga funksioni. Pra, Matia nuk shqetësohej shumë për konjukturat politike apo shoqërore. Por, ai kishte respekt dhe dashuri për personalitetet e shquara të kulturës së hapsirave shqiptare ashtu siç e kishte ngrohtësinë e bisedës dhe respektin edhe për të rinjtë.

Me Ndre Mjedën ishte fort i lidhur shoqërisht, përveç lidhjeve të tjera, si djalë halle që e kishte. Mjeda i përkiste jezuitëve, dhe Matia kishte mbaruar shkollën Saveriane të jezuitëve. Por, nuk ishte kjo nga arsye kryesore e lidhjes së tyre. Ato i bashkonte mes të tjerash fusha e gjuhësisë, e letërsisë, e poezisë, e didaktikës (sepse Mjeda kishte kryer edhe një kurs njëvjeçar pasuniversitar për pedagogji). Ato u bashkuan edhe në një shoqëri kulturore e atdhetare njëkohësisht. Kështu vajtën edhe në Manastir, në Kongres, duke dalë me të njëjtat pikëpamje. Por Mjeda filloi shumë vonë veprimtarinë e drejtëpërdrejtë pedagogjike, pikërisht në një shkollë që kishte për të konkuruar Gjimnazin e hapur në Shkodër, si shkollë laike. Me Mjedën e bashkonin idealet atdhetare, pasioni për rrugën që çonte më tej këto ideale, për gjuhën shqipe, për letrat shqipe. Pikërisht këto ideale i bashkuan edhe me Gjergj Fishtën. Këto ideale i çuan edhe në Manastir, në "Kongresin e abesë", siç u quajt ai Kongres me vlera aq të mëdha politike, kombëtare, gjuhësore, pedagogjike, i nëntorit të vitit l908. Misioni i Fishtës ishte i njëjtë, por detyra që iu ngarkua atje, si kryetar i Komisionit, kuptohet që ishte me rëndësi të veçantë. Ndërsa me Mjedën ishin moshatarë, kishin lindur në të njëjtin vit, edhe me Fishtën thuajse ishin moshatarë dhe me një prejardhje jo të largët nga të parët e tyre: Logoreci dhe Fishta, pastaj Shkodra.

Luigj Gurakuqi, ndonëse diçka më shumë se dhjetë vjet më i ri, nuk u nda asnjëherë nga veprimtaria atdhetare, arsimore dhe gjuhësore me miqtë e tij, sidomos me Matinë. Le të shikojmë përciptazi punimet kryesore të tyre, në këto fusha, pa hyrë në krijimtari letrare:

Mjeda: studjues i mirëfilltë i Gjuhës Shqipe, botoi si libër me vete: "Vërejtje për artikuj dhe përemna pronjës në gjuhën shqipe", përveç disa librave shkollorë që botoi bashkë me Xanonin. Mjeda, me shpirt të thellë poeti, ishte i kompletuar në mënyrë të përsosur si mësues. Përveç faktit që zhvilloi leksione në Universitete në zë të Evropës, ai dha mësime në Gjimnazin Jezuit në Shkodër. Krijimtaria e tij për fëmijë, etj., pa folur për të rriturit, e kishin bërë shumë të njohur poetin e embël.

Pjesëmarrës dhe aktiv në Kongresin e Manastirit.

Fishta: Sapo emërohet drejtor shkolle në filloren e françeskanëve në Shkodër më l902, vendos lëndën e gjuhës shqipe në shkollë. Trajton shumë probleme për mësimin në shkollat shqipe, ndalet edhe në probleme jetike për mbarësinë e arsimit, si "Familja", "Gruaja shqiptare", "Prind të mirë", "Nevoja e mësimit në Shkodër", më l921 hap Liceun "Ilyrikum". Ka një veprimtari të gjerë social-pedagogjike, në veprimtari aplikative dhe me krijimtari. Vepra e tij përbën një nga kolonat vertebrale të karakterit kombëtar të brendisë së të mësuarit. Duke e njohur dhe përjashtuar faktin që ishte kundër laicizimit të shkollës. Mbështetës i fuqishëm i demokracisë dhe i demokratit Avni Rustemi. Edhe lidhjet Fishta-Gurakuqi janë të forta e të palëkundura.

Roli i veçantë i Fishtës në Kongresin e Manastirit, si kryetar i Komisionit për Alfabetin etj, mbetën historike, por edhe në harmoni me Logorecin, Mjedën dhe Gurakuqin. Bashkë me Fishtën punon edhe Logoreci, si edhe me Mjedën, si antar delegacionesh në Manastir, për çështjen e madhe të atij kongresi.

Gurakuqi: në bashkëveprim me Matinë, nga i cili nuk ndahet asnjëherë boton: "Abetare për Mësojtore Filltare të Shqypnis", Napoli l905, "Knime të para për Mësojtore Filltare të Shqypnis, libër i dytë" Napoli l906. Dihet veprimtaria e Gurakuqit në Normalen e Elbasanit, si drejtues i shkollës dhe mësues i disa lëndëve si pedagogji, psikologji, logjikë, gjuhë shqipe, gramatikë, sintaksë, pa folur për funksione të tjera shumë të rëndësishme, përfshirë edhe detyrën e Ministrit të Arsimit Shqiptar. Ata janë së bashku në Kongresin e Manastirit, të katërt nuk ndahen me Matinë në Klubin "Gjuha Shqype" në Shkodër, në Drejtorinë e Përgjithshme Arsimore, dhe në tërë veprimtaritë e tjera arsimore. Eshtë shumë domethënëse poezia që Luigj Gurakuqi i kushton Mati Logorecit, në kohën që ky i fundit vazhdonte punën e mësuesit dhe të veprimtarit shoqëror në Kosovë.

Gurakuqi shkruan nga Italia, ku ndodhej atëkohë edhe ky për arsye të njohura, nënshkruan me pseudonim "Jakin Shkodra" poezinë për Matinë "T’falun Atdhetarit të Kosovës", duke iu drejtuar me pseudonimin që përdorte Matia (një nga pseudonimet e Matisë).

T’falun Atdhetarit të Kosovës

"Sado nën emën t’Kosovës je mblue
Po m’dan prej Shkodrës s’ime;
Vllaznisht po t’falem pra qi ke fillue
Me i pru gjuhës s’on’ lulzime.
Me t’drejt’ sot ka përse m’u gzue Shqipnija,
Sot ka ke me thirr’ bir;
Pse me i rrit’ emnin po punon djelmnija,
E gjuhën me i a dlir.
Ket gjuh’ t’tingllueshme, t’ambel e trimnesh’
Ket gjuh’ plot bukuri;
Qi ne t’mjerve na e çon gjith zemrën pesh’
N’dhe t’huej lark tuj e ndi.
Por prap sot jan’ disa qi edhe s’kuptojnë
I gjuhës ç’asht përparimi;
Tuj ndrrue gjuhën t’falitunit mendojnë,
Se vjen qytetënimi.
Ktyne njerzve qi mbahen gjind me krye,
Sa t’dalin prej gzhoj’ s’ s’vet,
E t’rrin jashta do dit, kur kan’ me kthye
S’ke shqip ma pse ju flet.
Ah t’falitun! Ku e xut ket diturije?
Fort jeni tuj gabue!
Se njallet poplli, der sot kush s’ka ndije,
Gjuh’ e zakon tuj ndrue!
Si t’bjerr gjuhën nji popull shqim mbaron;
N’shumë çeta ka me u-da:
Gjuha njerzt e nji kombi i bashkon,
I lidh si vllan ne vlla.
Si t’lam zakonet qi kem’ pas’ ne e par’,
Prindt t’on’ si t’i mohojm,
Fisnik’ ma s’jemi, s’jemi ma Shqiptar’
S’kem’ mbrapa kuj t’i shkojm.
T’kqyrim, gjithsa mundohna, për Atdhe,
Mos m’e marrue Shqipnin;
T’marrim prej tjerve ç’ka t’jen’ mir’ për ne,
E t’lam m’njen an’teprin.
E ty i Kosovës shkrimtar, qi je tuj krye
Mbi gjuh’ shum’ zbukurime,
t’lutem mos me u mërzit’ e me pëlqye
Nji shndet prej zemrës s’ime.
Nga dheu i huej
(Botue te "Albania" e Brukselit nr.3 Vit.V)
Në një rast jubilar, edhe Matia i kushton një poezi Gjergj Fishtës, ku i bën urimet nga zemra, pa pretenduar në poezinë e tij, çka e shpreh edhe në humor.
Poezia mban datën 20 Prill, 1928:
At Gjergj Fishtës nji mik plak
Per ditë t’Sh’Gjergjit poetit frat,
Nja dy fjalë e jo ma tjetër
Nuk po t’shkruej permbi ket leter;
Sa me t’thanë me t’mira plot
M’a gzofsh Sh’Gjergjin per shum mot!
Pater Gjergji, jam t’u pas frigë
Qi mos t’shkojë nji mende e ligë:
Mos t’kujtojsh se n’poezi
M’rrehet mendja se ‘i send di;
Jo, trut n’qafë s’i kanë ra krejt
Logorecit n’pleqsi t’vet!
Deri ktu e ma tepër jo
Pse per ndryshej, besa po,
Do t’a kishe rrugën t’lirë
Me kujtuemun t’ligë e t’mirë.
Po mbaroj, pra t’u përsëritë:
Per shum mot m’a pritsh ket ditë!
Plot me hire nji kotec
T’uron miku
Logorec!
Me shkronja më të vogla, më poshtë shkruhet:
Një postocriptum sa per shpejt
françesajvet shum shendet! 1)

...

Publicisti

Nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, lëvizja kombëtare e popullit tonë mori hov të ri. Në këtë kohë dalin disa organe shtypi, të cilat e zgjerojnë veprimarinë e tyre në përpunimin e mendimit politik e shoqëror të Rilindjes, duke u bërë një mjet i fuqishëm pune për çështjen kombëtare. Jeronim de Rada botonte në Kalabri "Fjamuri i Arbërit", më 1883-1887 në të folmen e arbëreshëve të Kalabrisë dhe në italisht, ndonëse pati edhe organe të tjera të botuara edhe më parë, që e prekën çështjen shqiptare si "L’albaneze d’Italia" (Shqiptari i Italisë), më 1848; "Pallazgu" më 1860; "I foni tis Allvanias" (Zëri i Shqipërisë), më 1879-1880, por, me përjashtim të "Pallazgut", që botohej në shqip me shkronja greke, të tjerat shtypeshin në gjuhë të huaja. 1) Organe të tjera si gazetat "Shqipëria" e Bukureshtit, që doli më 1887-1889; "Drita" që botohej në Sofje në vitet 1901-1908; "Albania" në Beograd, më 1902-1905; "Shpresa e Shqypnis" në Raguzë, në Trieste dhe në Romë në vitet 1905-1908; "Kombi" në Boston, më 1906-1908; "Shqipëria" në Kajro, më 1906-1908; "Shkopi" në Kajro në vitet 1907-1908 etj., të cilat u përhapën përmes një lufte të ashpër klasore për problemet themelore të lëvizjes kombëtare shqiptare. Problemi themelor politik i Rilindjes, rreth të cilit u zhvillua një polemikë e ashpër, ishte ai i autonomisë e i çlirimit të plotë të vendit nga të huajt.

...

Logoreci bashkëpunoi ngushtësisht në ngritjen dhe në nxjerrjen e gazetës "Dashamiri". Ai dha idetë për përmbajtjen e shumë artikujve, ndihmoi për afrimin e bashkëpunëtorëve, për trajtimin e problemeve të gjuhës, të alfabeteve dhe të problemeve ekonomike. Logoreci interesohet për gjithçka ka të bëjë me gazetën."Emnin fletores ia vini "Dashamiri"... me këtë postë pra të nisa... shkrimet për numër të parë e të lutem ban gajret që të dalin sa ma parë e të mundohesh që numrat e parë të dalin pa gabime shtypje... Me postë tjetër kam me nisë edhe shkrimet e tjera që i kam gadi sa për dy numra e mandej postë për postë kam me të çue e kështu kemi me mbajtë krye dy javësh deri sa të fillojmë krye javë... 1)

Logoreci hyri në probleme politike, ndonëse u përpoq që të mos ndeshet me shumë kundërshtarë, sidomos me Fuqitë e Mëdha të kohës si me Austrinë e me Turqinë. Këtu shihet një ndikim lidhur me qëndrimin oportunist, që po luftohej në atë kohë nga ajo pjesë e atdhetarëve, të cilët nuk ushqenin iluzione ndaj asnjë fuqie. Megjithatë, gazeta do të dilte hapur për shumë probleme e kjo ka "me zbulue armiqt e kombit e sidomos armiqt që i kemi brenda shpije, se këto janë shumë më të zezë se të jashtmit." 2)

...

Një sërë artikujsh ndeshen në shtypin e kohës me nënshkrimin e Logorecit, i cili do të shkruajë deri në fund të jetës së tij. Të bie në sy fakti që në vitin 1936 në artikujt e shkruar nga ai spikasin më tepër problemet ekonomike, si rezultat i gjendjes jashtëzakonisht të prapambetur, ku e kishte lënë regjimi dhe kriza botërore që po kalonte vendi. Në këto kushte, duke jetuar gjithmonë me hallet e popullit, Logoreci merret me këto probleme, duke lënë disi mënjanë pasionin e tij për gjuhën shqipe. Në artikullin "Çështje bujqësore" 1) shkruan se 90 përqind e popullsisë së shtetit tonë përbëhej nga fusharakë e malësorë që merreshin vetëm me bujqësi. Aty Logoreci shtjellon mendimin se i vetmi mjet për ta "knellun" shtetin shqiptar ekonomikisht është bujqësia.2) Edhe në artikullin "Bujqësia - çështje kryesore" ai rithekson se bujqësia dhe zhvillimi i saj do të na ndihmojë të na shpëtojë nga "gjaja e huej (importi - M.K.) që asht tue na shterrë ato pak kapitale, që na kanë teprue." 3)

...

Mati Logoreci nuk ishte thjesht bashkëpunëtor i një organi, por bashkëpunëtor aktiv i disa organeve, duke kaluar edhe drejtues i tyre, siç qe për organin "Dashamiri" e për organe të tjera deri te "Drita", ku për një kohë prej rreth 6 muajsh ka qenë drejtor e përgjegjës.

Gazeta "Drita" si organ qeveritar, iu ngarkua Logorecit për drejtim, sepse ai ishte i kulturuar, njihte problemet shoqërore, ekonomike, arsimore e kulturore, ishte drejtues klubesh, gazete, arsimi, autor i disa teksteve dhe i shumë artikujve të botuar në organe të ndryshme. Megjithatë, plaku atdhetar ishte shprehur se "Është bela për mua kjo punë, por nuk mujta dot t’i largohesha".

...

Karakteri i tij nuk i duronte prapaskenat, artikujt e ndotur për të goditur herë njërin e herë tjetrin; Logoreci nuk ishte gazetar me njëqind fytyra, por patriot i flaktë dhe i pastër. Në rrethana presioni e ndërhyrjesh të vazhdueshme për ta përdorur shtypin për qëllime të sëmura, tarafesh e intrigash të klasës në fuqi, Mati Logoreci, me shumë këmbëngulje, dha dorëheqjen.

...

Shqetësimi për problemet shoqërore

Logoreci ishte njeri me interesa të gjera politike dhe shoqërore. Duke qenë vetë njeri me karakter të fortë, me besë, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale; ai kërkonte të evidentonte se besa është nga tiparet kryesore të popullit tonë; është ajo që i lidh, i organizon, i bashkon shqiptarët dhe në emër të saj ata bëjnë mrekulli. Këtë Logoreci nuk e shpjegon teorikisht, por rrok etapa të rëndësishme historike të popullit tonë dhe atje gjen argumente të karakterit të tyre të fortë e të pastër, të besës shqiptare. Në shkrimin "Besa shqyptare", botuar në të përkohshmen politiko-letrare "Agimi", në tetor të vitit 1920,1) flet për vitet 1911-1912, kur shqiptarët, duke e parë veten të përbuzur e të vrarë, doemos nuk do të mund të duronin, por shpërthyen në kryengritje. Lajmi, se tridhjetë mijë shqiptarë të armatosur në fushën e Kosovës po sulmonin Shkupin ishte përhapur gjithandej. Një konsull i huaj i kishte folur Logorecit, atëherë mësues në Shkup, se "ky lajm qe si një rrufe, që shtiu droje e mnerë ndër qarqe politike të Sofjes; të gjithë zyrtarët e diplomacisë së atij qyteti s’bajshin veçse me ankuem e me qa kobin e zi që do ta gjente Shkupin e ngratë... s’ka për të mbetur gur mbi gur, thojshin. Tridhjetëmijë shqyptarë t’egjër e të breshtë, të pa zot..." 1) Në shkrimin e tij Logoreci e paraqet veten përsëri para këtij konsulli të huaj, serb. "Jo zotni, i thashë. Egërsia e breshtënia e tyre janë pralla e dokra të shpifuna e të përhapuna prej armiqve të tyne, madje shqyptari asht i butë, i njerëzishëm, i ambël e i dashtun. Mund të them që shqiptarët janë të paorganizuem, nuk kanë ato rregullime si në Europë, me polici, me xhandarmëri, me ushtri, por, megjithatë kanë një tjetër send mjedis tyre që evropianët nuk e kanë e nuk e kuptojnë, ata kanë një send që e shqyptojnë me fjalën besë, me një fjalë që nuk mund të kthehet në kurrnji gjuhë".2)

...

Pas viteve tridhjetë

Në vitin 1930 Mati Logoreci doli në pension. Por, duke ndjekur organet e shtypit, veprimtarinë e tij në fushën shoqërore, kulturore, të krijohet mendimi se dalja në pension ka qenë një formalitet administrativ, ose përpjekje për ta shmangur nga veprimtaria. Kjo periudhë, pas vitit 1930, i shkëputi atij lidhjen e drejtpërdrejtë me shkollën dhe nxënësit, por i dha më shumë kohë për t’u marrë me problemet e gjuhësisë, të kulturës, të traditës. Në pranverën e parë pas daljes në pension, më 4 prill 1931, Logoreci bëri një udhëtim nëpër disa krahina të Shqipërisë, duke mbajtur biseda për artin e për kulturën kombëtare dhe vlerat e tyre për edukimin e masës. Atë kohë ishte hapur një ekspozitë me punime nga artizanati shqiptar, e cila tërhoqi vëmendjen e shumë arsimtarëve.

Matia shquhej jo vetëm për logjikën e thellë, në trajtimin e çështjeve me të rinj e të rritur, por edhe për kulturën, elokuenca e tij, për një drejtshqiptim rigoroz, duke tërhequr vëmendjen e dëgjuesve. Ai zhvilloi biseda edhe me nxënës të shkollave të mesme. Bie në sy prania e tij edhe si ligjërues në shkollën teknike në Tiranë, që drejtohej nga pedagogu i shquar american Harry. T. Fultz, ku ishte ftuar për bisedë me nxënësit.

"Gazeta shqiptare" e 5 prillit 1931, në një lajm nga Durrësi shkruan: "Zoti Mati Logoreci, i cili asht nisë prej Tiranës, si i dërguem prej drejtorisë së Entit Kombëtar për të shëtitë qytetet e ndryshme të Shqipërisë me qëllim që të ngucin e të ngjallin sa më tepër interesimin e popullit për zejtari, në rast të konkursit që do të bahet urdhnoj edhe në qytetin tonë... posa erdhi filloi marveshjet me të ngarkuarit me detyrë të komitetit artistik të këtij qyteti e do të qëndrojë këtu edhe dy ditë e mandej do të udhëtojnë për në qytetet e tjera të Shqipërisë për me vijuem misionin e tij. Ardhja e zotit Logoreci kujtojmë se do të bëjë efektin e duhur në bashkëpunim me të ngarkuemit me këtë detyrë të komitetit artistik të qytetit...!"

...

Edhe më formale duket dalja e tij në pension, sepse ai ishte ende në funksione e detyra që kërkonin punë e lodhje për moshën e mësuesit veteran. Në vitin 1931-1932, ai ishte drejtor i konviktit "Vaso Pasha" në Tiranë, kurse në vitin 1936, drejtonte gazetën "Drita", po në Tiranë.

Gjatë këtyre viteve, ndonëse i moshuar, Mati Logoreci qëndroi shumë aktiv, me veprimtari teorike e praktike, me artikujt e shumtë që botoi në disa organe, me pjesëmarrjen në polemizime për pikëpamje të ndryshme, veçanërisht në fushën e gjuhës shqipe.

*

Mati Logoreci e mbylli jetën e tij, me një veprimtari shumë aktive mbi një gjysmëshekulli.

Përveç sëmundjes së rëndë, që e kishte gozhduar në shtrat, në fund të jetës iu shtuan edhe hallet e mëdha të Atdheut të pushtuar nga çizmja e të huajit, që kërkonte të italianizonte e të fashistizonte vendin, duke ngushtuar historinë e letërsisë tonë, në favor të atyre italiane, të krijimit të hapësirave për autorë pro pushtuesit, duke futur masivisht italishten në shkollat shqipe, në kurriz të gjuhës sonë amtare; në organet e shtypit, në institucionet e deri në tabelat e dyqaneve e në ambalazhet e prodhimeve ushqimore. Ashtu siç ishte i rënduar nga mosha e nga sëmundja, kur pa një tabelë dyqani të shkruar në gjuhën italiane, u inatos aq sa e humbi durimin e iu vërsul dyqanxhiut, me fjalët më të rënda. Ju drejtua një të riu që të hipte e ta hiqte menjëherë atë tabelë. Midis këtyre shqetësimeve, duke parë flamurin e njoIlosur me stemat fashiste, si dhe nënvlerësimin e shqipes si gjuhë e kombit tonë të lashtë, Mati Logoreci mbylli sytë përgjithmonë, i rrethuar me nderim nga nxënësit dhe nga kolegët e tij, por i brengosur thellë në shpirt për fatin e Atdheut.

Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar Mati Logorecin për veprimtari patriotike që më 1962.

...

Udhëheqës të vendit, që nga Sulejman Delvina, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Ramis Alia e të tjerë, e kanë vlerësuar në rrugë të ndryshme Mati Logorecin, sidomos për veprimtarinë arsimore, gjuhësore, për emancipimin shoqëror.

Me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me Urdhërin "Për veprimtari patriotike të Kl.III me motivacion: "Një nga arsimtarët veteranë të shkollës shqipe dhe lavrues i pasionuar i gjuhës sonë, punoi me dashuri gjithë jetën për mësimin e saj si në vitet e robërisë së huaj, ashtu edhe më pas. Mblodhi pa u lodhur visarin leksikor dhe luftoi me fanatizëm për një shqipe të pastër".

Festohej madhërishëm 100 vjetori i Mësonjtores Kombëtare Shqipe të Korçës, pikërisht në qytetin e ngjarjes së madhe arsimore. Ishte 7 mars, 1987. Festa ishte shtrirë dukshëm në jetën e vendit dhe pasqyrohej mirë nga media e kohës. Por, si atëherë, mjerisht edhe sot, bëhen gabime në përcaktimin e kësaj ngjarje, si "Shkolla e Parë Shqipe", pa e theksuar se ishte shkollë kombëtare, laike. Ndryshe, çfarë do t’i thuhej Shkollës shqipe të Janjevës, të Andrea Bogdanit, 330 e ca vjet më parë, apo asaj të Pllanës, Kurbinit, Himarës, etj.

Kështu, nuk ka përse të mohojmë vetveten, pa çka se shkollat e mesjetës si kudo në Evropë, edhe tek ne kishin drejtim fetar.

...

Pikërisht në ditën e shënuar, 100 Vjetori i Mësonjëtores Shqipe të Korçës (7 mars 1987 - 1997) bashkë me disa personalitete të shquara të arsimit shqiptar Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë, dekoron në prani të Presidentit të Shqipërisë dhe personaliteteve të tjerë Mati Logorecin, me titullin e lartë "Mësues i Popullit" me këtë motivacion: "Patriot i shquar për çlirimin kombëtar, mësues i talentuar dhe përhapës i mësimit, të gjuhës shqipe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, themelues i shkollës kombëtare të Prizrenit, lëvrues i gjuhës shqipe dhe autor i shumë teksteve mësimore, pjesmarrës në Kongresin e Manastirit, në Kongresin e Lushnjës dhe në Kongresin Arsimor të Tiranës, anëtar i "Komisisë Letrare" të Shkodrës"

Vazhdimësi

Familja Logoreci ka vazhduar me dinjitet traditën e saj si vatër e arsimit dhe e kulturës si për pjestarët e saj, pasardhësit dhe më gjerë për masën në tërë hapësirën shqiptare. Kjo vazhdimësi e punës së mësuesit në vizion të gjerë ka rrokur shumë drejtime.

Fillohet nga puna e mësuesit në kuptimin e drejtë përdrejtë, në fëmijë dhe nipa e mbesa, duke vazhduar me veprimtari të gjerë studimore në media, në organe lokale, qendrore dhe më gjerë në hapësira botërore, në fushën e artit dhe të kulturës, ku "Logoreci" vazhdon të nderohet e duartrokitet në auditore të Universitetit përfshirë edhe fusha të gjera të përgatitjes së mjekëve, të gjuhëve të huaja, etj. Është kjo mbarësi "Logoreci" në rritje duke siguruar vazhdimësi në breza, që buron zhvillim, begati, mirësi, fisnikëri në dyert që përfshinë trungun mashkullor dhe femëror, "Logoreci", duke krijuar emër të nderuar në hapësirat shqiptare.

"Logorecët" nuk patën nevojë për konjuktura. I përballuan të gjitha, duke qenë dhe duke mbetur, duke u ngritur në formë spirali të nderuar e me dinjitet. E në këtë kuadër, një nga kulmet mbetet Matia.

Burimet kryesore të shfrytëzuara arkivore

Arkvi Qendror Shtetëror (AQSH)
Fondi nr. 44, dosja 21/2
Fondi nr. 19, dosja 31
Fondi nr. 65, dosja 48 "Letra të Mati Logorecit drejtuar personave të ndryshëm"
Fondi nr. 65, dosja 28
Fondi nr. 65, dosja 21
Fondi nr. 8, korrespondenca 912,1908
Fondi nr, 44, dosje nr. 5
Fondi Klubi" "Gjuha Shqype"
Fondi "Mati Logoreci", dok, 49, 25 qershor, 1899
Fondi "N.Ivanaj", dosja 4, dok. 64
Fondi nr. 132, dosja 32, mbi korrespondecat… për përdorimin e murgeshave si mësuese në shkollën femërore
Muzeu Shkodër. Dosje nr. 2, Arsimi 282/III; 481/VI; Shkresë 1535/III, 23.VII.1938.
Muzeu Historik Kombëtar.
Muzeu Kombëtar i Arsimit - Korçë.
Arkivi familjar.
Literatura kryesore
- "Albania", Bruksel 1900, nr. 5, 1901, nr. 2.
- "Arsimi Popullor", tetor, 1965; mars-prill, 1964.
- Alpan,Nexhip; "Si lindi alfabeti shqip? (Arnaut alfabesi naisil dogudu?), Ankara, 1978.
- "Arbënia", Tiranë. 23 shtator,1929.
- "Agimi"; gusht,1919, faqe 40; shkurt 1920, faqe 161; mars 1920; tetor, 1920.
- Bala, Vehbi; Lidhjet kulturore Shqiptaro-Rumune", Buletin Shkencor Shkodër
- Bashkimi, nr.2, Trieste, 1908
- "Cirka"; Shkodër, 28 Nëntor, 1938.
- C, S. Costante-i Spre Albania (Drejt Shqipërisë), Bukuresti, 1905
- Çabej, Eqerem: "Studime gjuhësore", Prishtinë, 1976
- Çefa, Anton: Anton Logoreci (1910-1990) Përfaqësuesi i denjë i kulturës së Diasporës shqiptare. "Rrezja jonë", organ i veprimit katolik të rinisë… 2/1992
- "Dashamir"; nr.4, 30.12.1907,
- "Dashamiri"; Trieste, nr. I, 14 nëntor, 1907.
- "Demokracia"; 1929, nr. 205,4 maj.
- Dilo, Lefter: Dy fjalë për Mati Logorecin, "Shkolla Shqiptare", 1941, nr.48
- "Drita"; 13 dhjetor, 1936, 1938
- Domi, Mahir; "Kongresi i Manastirit" në "Studime Filologjike", 1968.
- "Edukata e Re"; Tiranë. maj, 1930.
- Fletë nga historiku i shkollës sonë"; Tiranë. 1963, fq. 89.
- Gazeta "Bashkimi" nr. 2, Trieste, 1908.
- Gurakuqi, Luigj: T’falun Atdhetarit të Kosovës, "Vepra të zgjedhura I", T. 1961
- Gurakuqi, Karl: Logoreci i vdekur - mësim i gjallë për ne. "Bashkimi i kombit", 8 shkurt, 1944
- "Gjuha letrare kombëtare", T.1988
- "Historia e Shqipërisë"; Tiranë. 1965, fq. 281.
- Hoxha, Enver; "Tërmeti lëkund malet, por jo shqiptarin", T.1981, fq. 57
- Kastrati, Jup; "Të dhëna të reja e shënime plotësuese për disa gramatika të gjuhës shqipe", Buletini Shkencor, 2, 1974.
- Kastrati, Jup: Zëri mbi Mati Logorecin, Fjalori Enciklopedik
- "Kumtari Arsimuer", nr. 2, 1921, fq. 26-27.
- Kostallari, Prof., Androkli; "Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj", Tiranë. 1973, fq. 52.
- Koci Kolë;"Arsimi në Perjudhën e Qeverisë së Përkohëshme të Vlorës", 1912-1914, në "Revista pedagogjike", I, 1978.
- Kraja, Musa: Ndre Mjeda mësues i shquar i gjuhës shqipe, "Mësuesit për kombin shqiptar", Tiranë, 1993 fq. 335-336
- Kraja, Musa: Gjergj Fishta mësues i shquar i gjuhës shqipe, "Mësuesit për kombin shqiptar", Tiranë, 1993 fq. 335-336, T.1993
- Kraja, Musa: Mësuesi Luigj Gurakuqi për arsimin dhe shkollën shqipe, "Mësuesit për kombin shqiptar", Tiranë, 1993 fq. 216-221.
- Kraja, Musa, Lazer Lumezi; vepër e cituar "Mësuesit për kombin", Tiranë, 1993 fq. 259-261
- Bashkëkohës i përhershëm; fq. 346-352, vepër e cituar
- Kraja, Musa; "Mati Logoreci" (monografi) Tiranë.1987.
- Kraja, Musa; Të dhëna të reja për Mati Logoreci, Nëntori, 6, 1983.
- Kraja, Musa;"Mësuesit për Kombin Shqiptar" Tiranë, 1993, Mati Logoreci për Kombin Shqiptar fq. 249-259.
- Kraja, Musa; Logoreci, drejtues i arsimit, didakt i shquar, "Revista Pedagogjike, 1, 1985.
- Kraja, Musa; "Mati Logoreci për gjuhën shqipe", "Studime Filologjike", 1, 1984.
- Kraja, Musa; Me pasionin e madh për gjuhën shqipe, "Jehona", Shkup, 4-5, 1994
- Kraja, Musa: Logoreci në 50-vjetorin e vdekjes, "Gjuha jonë", 1992
- Kraja, Musa; "Pedagogjia", Tiranë 1998, faqe 92, 93, 198
- Kraja, Musa; "Idetë dhe veprimtaria pedagogjike e Harry T. Fultzit në Shqipëri", T.2000, faqe 39, 41, 42.
- Lajmet e Komisisë Letrare", Shkodër 1918.
- "La Nazione Albanese", Carauzore, nr 19, 1980, faqe 7
- Logoreci, Mati; "Libër leximi për shkollat e mesme" Tiranë 1920.
- Logoreci, Mati; "Ndollina historijet t’motshme", Shkodër, 1911.
- Logoreci, Mati; "Agimi", "Lëvrim Kombëtar", mars, 19200
- Logoreci, Mati; "Plotësori i abetarit", botim i Drejtorisë së Përgjithëshme të Arsimit, Vlorë, (pa datë botimi)
- Logoreci, Mati; "Lexime për moshë të njomë", botuar në Tiranë nga Ministria e Arsimit, 1934.
- Logoreci, Mati; "Histori e Përgjithëshme" Vëllimi I, II në vitet 1924-1925.
- Logoreci, Mati; Gjuha letrare, "Tomori", 1940, 26 korrik
- Logoreci, Mati; Pika leksikore, "Shkolla shqipe", 1940, nr37
- Logoreci, Anton; Rikthim i Nologus, T.2000
- Logoreci, Maria; Marie Logoreci, T.2000
- Mendimi politiko shoqëror i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, 1879-1908, vëllimi I, Tiranë 1971.
- Myzyri, Hysni; "Shkollat e para kombëtare shqipe", Tiranë, 1978
- Osmani Shefik; Fjalori i Pedagogjisë, Tiranë 1983, faqe 392
- Revista Pedagogjike, nr. 3, 1978, faqe 134, nr. 4 1979, faqe 106.
- Revista Pedagogjike, 1973, nr.5, faqe 146, nr. 1, 1982, faqe 132
- Revista "Shkolla e Re" nr. 7.
- Rexhepagiq, Jashar; "Zhvillimi i shkollave shqipe prej Lidhjes së Prizrenit deri në vitin 1912, Prishtinë, 1972
- Rexhepagiq, Jashar; "Zhvillimi i arsimit dhe i sistemit shkollor të kombësisë Shqiptare në teritoret e Jugosllavisë së sotme, deri në vitin 1918", Prishtinë 1970.
- "Tomorri"; Varrim madhështor i Mati Logorecit, 1941, 9 shkurt
- Tako, Pirro; "Luigj Gurakuqi" - Shkolla kombëtare, 1937, pika gramatikore (shqyrtime leksikore)
- Qemali, Ismail; "Përmbledhje dokumentash", Tiranë, 1982, faqe 138, përgatitur nga Teuta Hoxha.
- Qosja, Rexhep; Filozofia e gjuhës, 3.1986
- Qosja, Rexhep; Porosia e madhe, T. 1989
- Stërmilli, Haki; Prapë mbi ortografinë tonë, pëgjigje M. Logorecit, "Drita", 21 prill, 1939
- Stërmilli, Haki; Për gjuhën tonë, Zotit Mati Logoreci , Drita, 30 prill, 1939
- Skendo, Stavri; The Albanian National Awekning, 1878-1912(Zgjimi kombëtar shqiptar, 1878-1912), T.2000, fq.316
- Shpuza, Halim; "Mati Logoreci", Buletin shkencor, 1965, faqe 424-431.
- Shpuza, Halim; "Arsimi në Shkodër në vitet e para të Pavarësisë Kombëtare", Arsimi Popullor Nr.10 1961.
- Shpuza, Halim; "Të dhëna mbi jetën dhe veprimtarinë e Mati Logorecit" Buletini Shkencor nr.2 1975 faqe 163
- Shkolla Shqiptare, nr.48 mars 1941
- Shapllo, Siri; "Nga historiku i zhvillimit të arsimit në Shqipëri" Tiranë 1975, faqe 79
- "Shekulli i Ri", Durrës, 15 gusht, 8 tetor, 1928
- Shpuza, Gazmend; "Gjurmime në Epokën e Rilindjes Kombëtare" Tiranë 1980.
- "Shkolla Kombëtare" Tiranë, tetor-nëntor 1938. Pika gramatikore (Për mësuesit e gjuhës shqipe)
- "Shpresa Shqynisë", Trieste, 16.09.1907
- Rexhepagiq, Jashar; Historia e arsimit në gjuhën shqipe në trevat e Jugosllavisë së sotme, deri në 1918. Prishtinë 1970
- Kanini, Ilir; Arsimi në Shqipëri në vitet e Luftës I Botërore, T.2000
- Rugova, Ibrahim; Kohë dhe premisa të kritikës letrare shqiptare 1506-1983, T. 1997
- Koliqi, Hajrullah; Historia e pedagogjisë botërore, Prishtinë, 1997, Vëllimi I
- Koliqi, Hajrullah; Historia e pedagogjisë botërore, Prishtinë, 1998, Vëllimi II
- Tarifa, Fatos; Idetë socialiste në Shqipëri në fillim të shekullit XX, "Drita", 25 prill, 1982.
- "Vatra", I tetor 1933.
- Vishko, Dr. Ali; Kongreset e alfabetit dhe të shkollës shqipe" Shkup, 1992.
_____________

Libri Mati Logoreci pasoi botimet për njerëzit e shquar të familjes Logoreci, librat për Marie Logoreci dhe Anton Logoreci që dolën në qarkullim në vitin 2000.

Autor i librit është studiuesi Prof. Dr. Musa Kraja,

ISBN 99927 - 664 - 8 - 4
164 faqe